FATI I TË PAGJETURVE S’ÊSHTË CËSHTJE TEKNIKE,BIE KUSHTËZIMI
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri duhet të heqë dorë nga dialogu me Borislav Stefanoviqin, nëse do që ta përmbushë kushtin e Parlamentit të Kosovës, që dialogu me Serbinë të vazhdohet vetëm pas zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Fati i ta pagjeturve nuk do të mund të jetë temë e dialogut teknik, ndonëse në njërin nga takimet e para në kuadër të dialogut teknik ishte përmendur si temë. Burime të gazetës kanë shpjeguar se ekipi që lehtëson dialogun nuk e sheh të udhës që fati i ta pagjeturve të jetë temë e dialogut, ngase për këtë çështje nuk ka se çfarë të bisedohet.
Tema që qe përmendur para nisjes së dialogut teknik dhe që do të ishte temë e dialogut teknik është hequr nga agjenda e procesit të lehtësuar prej Robert Cooper, për shkak se për këtë çështje tashmë diskutohet qe një kohë të gjatë.
Edhe një zyrtar i lartë i BE-së në Bruksel i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se Edita Tahiri dhe Borislav Stefanoviqi nuk kanë se çfarë të bisedojnë për të pagjeturit, por duhet të këmbejnë informacione.
“Nuk do të ketë dyfishim të dialogut. Për fatin e të pagjeturve tashmë diskutohet në kuadër të Grupit Punues për Personat e Pagjetur. Nuk e shohim të nevojshme dyfishimin e temës edhe në dialogun teknik”, i ka thënë gazetës burimi.
Grupi Punues për Personat e Pagjetur është themeluar nga koha e UNMIK-ut. Shumë takime dhe diskutime janë bërë në kuadër të këtij grupi, kur përfshihen të gjithë faktorët relevantë. EULEX-i ka kohë që është në dispozicion të këtij grupi dhe çdo informacion i shkëmbyer në kuadër të tij, nga cilado palë, qoftë ajo serbe apo kosovare, për vendosjen e mundshme të të pagjeturve, i ka shërbyer EULEX-it për hetime të mëtutjeshme dhe gërmime të varrezave masive.
“Kjo punë nuk duhet të diskutohet. Edhe Beogradi, edhe Prishtina duhet vetëm të japin informacionet për personat e pagjetur. EULEX-i është i gatshëm të hetojë dhe të gërmojë”, ka thënë zyrtari i lartë i BE-së.
Sipas tij, Bashkimi Evropian edhe para dialogut ka kërkuar nga të dyja palët që të zbardhin fatin e të pagjeturve dhe të zbulojnë informacionet që kanë. Sipas tij, Brukseli dhe as EULEX-i nuk mund të bëjnë asgjë derisa Beogradi dhe Prishtina nuk japin informacionet përkatëse (gjerësisht në “Kohën Ditore”).