NJË 67-VJEQARE INSKENON PLACKITJEN
Sh. Krasniqi, 67-vjeçare nga Kosova, me shtetësi australiane, kishte inskenuar më 2 maj një grabitje, me qëllim të përfitimit material. Të dhënat e Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se 67-vjeçarja kishte lajmëruar rastin në polici kinse është sulmuar dhe plaçkitur nga persona të panjohur në rrugën “Xhemajl Mustafa” në lagjen “Dardania” të kryeqytetit.
“Ka qenë lajmërim i rrejshëm. Një grua ka lajmëruar se në lagjen ‘Dardania’ në kryeqytet më dy maj persona të panjohur i kanë grabitur para në vlerë prej 2 mijë eurosh dhe ari me vlerë prej mbi 28 mijë dollarësh australianë”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e PK-së.
Sipas Ahmetit, 67-vjeçarja, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq në fshatin Hajvali është arrestuar të martën I. Podvorica, 22- vjeçar, me dyshimin se ka vjedhur ari në vlerë prej 15 mijë eurosh në shtëpinë e viktimës F.V. në Hajvali.
“Njësitet policore pas hetimeve të bëra kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin mashkull, shqiptar, i cili kishte vjedhur ari. Njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar arin që dyshohet që është i vjedhur. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në paraburgim e rasti është nën hetime”, thuhet në raportin policor lidhur me këtë rast./koha/