Kalo te lënda

ARRESTOHET NJË SERB NE MITROVICË,NISIN PROTESTAT

Jovica Milkoviq (1975) është arrestuar nga policia e Kosovës sot në orët e hershme të mëngjesit, si i dyshuari kryesor për demolimin dhe shkatërrimin e kamp-shtëpizës së Policisë së Kosovës në Lagjen e Tre rrokaqiejve. Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, Milkoviq është i dyshuari kryesor, që ditën kritike, kur policia e Kosovës kishte vendosur një kamp-shtëpizë në oborrin e Tre rrokaqiejve ka urdhëruar grupin e serbëve që të demolojnë këtë kontejner. Policia e Kosovës kontejnerin e kishte vendosur dy ditë pas sulmit terrorist në familjen Haradinaj, me ç’rast u vra kryefamiljari Selver Haradinaj. Milkoviq është i punësuar në Ujësjellësin e pjesës veriore të qytetit.

Pas arrestimit të Milkoviqit një grup punëtorësh të Komunës së UNMIK-ut dhe asaj paralele serbe kanë bllokuar rrugën Mitrovicë – Suhodoll.

Në këtë protestë të serbëve kohë pas kohe po dëgjohen edhe të shtëna nga armë zjarri. Banorët shqiptarë të tri ndërtesave janë të shqetësuar për sigurinë e tyre. Policia e Kosovës ka theksuar se atje ka dërguar përforcime shtesë, ndërsa rruga Mitrovicë- Suhodoll është e bllokuar nga serbët protestues, të cilët po kërkojnë lirimin e Milkoviqit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, në lidhje me këtë ka theksuar se policia e Kosovës ka arrestuar një qytetar serb të Kosovës. Hoti nuk ka dhënë detale të tjera në lidhje me rastin./koha.net/