MARIHUANA “CAJ” PËR SHEHERLI!
Fahri Bici dhe Berat Cakolli e pranuan fajësinë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve dhe substancave psikotropike. Kurse Jakup Arifaj nuk e pranoi se ka ndihmuar në kryerjen e veprave penale. Ai ka deklaruar se kur kishte pyetur për “barin” që mbante në shtëpi, Bici i kishte thënë se “është çaj mali që po ua shes sheherlive”.
Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të mërkurën u mbajt seanca gjyqësore kundër të pandehurve Fahri Bici, Berat Cakolli dhe Jakup Arifaj, të akuzuar për disa vepra penale, përfshirë blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve dhe substancave psikotropike.
Pas leximit të akuzës, dy të pandehurit e parë e pranuan fajësinë, ndërsa i pandehuri i tretë nuk e pranoi atë.
I pandehuri Fahri Bici akuzohet se ka kryer veprën penale “prodhim dhe përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”, e dënueshme me gjobë dhe burgim nga një deri në dhjetë vjet burgim.
Ai, po ashtu, akuzohet edhe për “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotropike”, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burg, nga një deri në pesë vjet. Bici akuzohet edhe për “mbajtje në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, e dënueshme me gjobë ose me burgim nga një deri në tetë vjet.
I pandehuri Berat Cakolli akuzohet për veprën penale “të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe të substancave psikotropike”, vepër e dënueshme me gjobë dhe burg nga një deri në tetë vjet burgim.
I pandehuri i tretë, Jakup Arifaj, akuzohet se i ka dhënë ndihmë në kryerjen e këtyre veprave të pandehurit Fahri Bici, duke ia dhënë në shfrytëzim një pjesë të shtëpisë, në të cilën policia ka gjetur armët dhe substancat narkotike.
Sipas aktakuzës, Bici përgjatë vitit 2011 deri në ditën e arrestimit, kishte kultivuar dhe kishte poseduar substanca narkotike të llojit marihuanë, duke ia shitur ato Berat Cakollit. Po ashtu, nga një datë e panjohur, deri në ditën e arrestimit 30 dhjetor 2011, kishte poseduar armë pa leje. Në mesin e armëve, kishte edhe granata dore e raketa.
Nga ana tjetër, Cakolli akuzohet se kishte blerë nga Bici substancat narkotike, të cilat më vonë i ka shpërndarë në Prishtinë, në lokacione të ndryshme.
Të dy të pandehurit u deklaruan fajtorë për veprat penale që akuzohen, duke kërkuar falje për veprimet që kishin bërë. Pranimin e fajësisë e mori për bazë edhe gjykata, duke kaluar direkt në fjalën përfundimtare për të dy të pandehurit.
Arifaj nuk e pranoi fajësinë në dhënien e ndihmë Bicit në kryerjen e veprave penale. Në deklaratën që e kishte dhënë në polici e prokurori, Arifaj ka deklaruar, se kur e kishte pyetur Bicin për “barin” që mbante në atë shtëpi, i kishte thënë: “është çaj mali që po ua shes sheherlive”.
Trupi gjykues pasi dëgjoi fjalët përfundimtare të palëve, u tërheq për pleqërim të çështjes, ndërsa vendimi pritet të shpallet të premten në orën 10./Gazetajnk.com/