FAMILJARËT E TË PAGJETURVE U GËZUAN TËRHEQJES SË PDK NGA RIVOTIMI
Familjarët e të pagjeturve e kanë pritur me gëzim e lot lajmin që Kuvendi i Kosovës nuk e ka kthyer për rivotim mocionin e miratuar javën e kaluar nga Kuvendi, që vazhdimin e bisedimeve me Serbinë e kushtëzon me zbardhjen e personave të zhdukur. Lajmin atyre u ka dhënë deputeti, Glauk Konjufca, i cili u ka thënë atyre se partia në pushtet është tërhequr. “Tërheqjen e partisë në pushtet është meritë e juaj që po qëndroni duke protestuar në këtë kohë”, ka thënë Konjufca. Nystrete Kumnova në emër të familjeve të të pagjeturve ka theksuar se më në fund edhe institucionet e Kosovës po i kthejnë sytë kah qytetarët, të cilët që 14 vjet po presin në rrugë për të dëgjuar një lajmë për fëmijët e familjarët e tyre. Megjithatë edhe pas këtij vendimi familjarët shprehin mëdyshje nëse Qeveria e Kosovës do ta zbatojë mocionin e Kuvendit. Familjarët duke uruar njëri tjetrin për këtë sukses janë shpërndarë të qetë.