ARESTOHEN TRE TË DYSHUAR PËR GRABITJE ME ARMË
Zyrtarë policorë nga Departamenti kundër krimit të organizuar (DKKO) dje kanë arrestuar të dyshuarin Fanol. G (1977) për një rast grabitjeje të armatosur, që ishte raportuar në stacionin policor Qendra qysh më 17 mars të këtij viti. Për të dyshuarin gjykata m kohë kishte lëshuar një urdhër-arrest.
Ai, sipas njoftimit të policisë, u lokalizua nga zyrtarët policorë në lagjen Kalabria të Prishtinës, por gjatë aksionit për kapjen e tij ai kishte tentuar të ikte, megjithatë përfundoi në pranga.
Policia këtë të dyshuar e kishte identifikuar gjatë procedurës hetimore dhe ditë më parë para arrestimit e kishte kërkuar në disa lokacione, kishte bastisur edhe shtëpinë e tij në Nadakovc të Vushtrrisë.
Rasti i grabitjes ishte raportuar rreth dy muaj më herët (17 mars 2012) ku tre të dyshuar në një lokal në rrugën “Perandori Justinian” nën kërcënimin e armëve kishin grabitur viktimat në këtë lokal duke marrë disa telefona mobilë dhe gjësende të tjera.
I dyshuari atë ditë kishte kërcënuar me armë në lokal edhe persona të tjerë, duke shkaktuar panik tek klientët që kanë qenë të shumtë në lokal.
Pas arrestimit të të dyshuarit Fanol.G, u janë dorëzuar autoriteteve policore edhe dy të dyshuarit e tjerë, të përfshirë në këtë rast të grabitjes,.
Që të tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, përderisa për të gjitha veprimet policore është njoftuar edhe prokurori kompetent.
Policia ka zgjeruar procedurën hetimore, me dyshimin se ata janë të përfshirë edhe në raste të tjera kriminale.