Kalo te lënda

KRYEMINISTRI PRET PËRGJIETGJ E MINISTRAVE NË 450 PYTJE

Prishtinë, 14 maj  – (E plotësuar)  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot një takim me zëvendëskryeministrat, ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm lidhur me pyetësorin e Studimit të fizibilitetit. Me këtë rast ai u tha atyre se Kosova po implementon në afat rekord të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për Marrëveshjen e Stabilizim –Asocimit Pasi rikujtoi se  Këshilli i Bashkimit Evropian që në shkurt të vitit 2012 mbështeti  fillimin e Studimit të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit për Kosovën, shtoi se ky përbën hapin më të rëndësishëm në historinë integruese të Kosovës, pasi që paraqet hapin e parë formal drejt zyrtarizimit të marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian.Por shtoi se vullneti politik nuk mjafton për të shënuar progres në kuadër të fazës së re të procesit integrues të Kosovës. Sipas tij, hapi i parë në kuadër të përgatitjes së Studimit të Fizibilitetit  është plotësimi i pyetësorit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit. Më 7 maj, Ministria e Integrimit ka pranuar pyetësorin me mbi 450 pyetje për të gjitha institucionet qendrore të Republikës së Kosovës. Një ditë më pas, kjo ministri  ka përgatitur dhe përkthyer të gjitha pyetjet dhe ato janë shpërndarë në të gjitha institucionet shtetërore. Kryeministri shtoi se deri më 18 maj, të gjitha institucionet duhet të dërgojnë përgjigjet e tyre në Ministrinë e Integrimit, ndërkaq më 21 maj Ministria e Integrimit do të raportojë për ato institucione të cilat kanë respektuar apo nuk kanë respektuar afatet dhe kualitetin e kërkuar të përgjigjeve. Deri më 1 qershor, bazuar në përgjigjet e institucioneve, Ministria e Integrimit evropian, do të konsolidojë dokumentin final për dorëzim në Komisionin Evropian. Përgjigjet në pyetësorin do të dorëzohen më 8 qershor Komisionit evropian. Pas dorëzimit të përgjigjeve Komisionit,  më 18 qershor Misioni Faktmbledhës i Komisionit Evropian, do të arrijë në Kosovë me qëllim të verifikimit të përgjigjeve të pyetësorit. Së shpejti, tha ai,  presim agjendën e Misionit, me ç’rast Ministria e Integrimit do të koordinojë përgatitjet e nevojshme, sqaroi itinerarin e hapave kryeministri para kabinetit të tij, duke kërkuar  që gjatë muajit maj dhe qershor prioritet kryesor i tyre të jetë plotësimi i pyetësorit për Studimin e Fizibilitetit dhe realizimin e suksesshëm të Misionit Faktmbledhës të Komisionit Evropian. “Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të kërkohet nga secili prej jush të raportoni për ecurinë e plotësimit të pyetësorit”, u shpreh kryeministri. Duke ritheksuar se Kosova ka të ardhme të sigurt evropiane dhe se shteti i Kosovës është unik në rrafshin politik dhe gjithë etnik në vizionin integrues euro-atlantik, ai shtoi se Kosova po implementon në afat rekord të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe përgatitjet për Marrëveshjen e Stabilizim –Asocimit. Por, siç u shpreh ai, e vërteta është se dinamika në Prishtinë dhe Bruksel nuk përputhen. Vonesat e Brukselit janë të pajustifikueshme. “Kosova mjaft është vonuar për një shekull padrejtësisht’, u shpreh kryeministri Thaçi, i cili në kohë të fundi ka ashpërsuar fjalorin karshi BE-së, kur është fjala për raportet me Kosovën. Përderisa Kosova që nga shpallja e pavarësisë ka punuar njëanshëm në përafrimin e saj me strukturat e Bashkimit Evropian, Bashkimi Evropian ka vepruar me hapa shumë të ngadaltë, tha ai dhe shtoi se entuziazmit dhe politikës të institucioneve, të qytetarëve të Kosovës për integrim, për fat të keq Brukseli po i përgjigjet ftohtë dhe me procese të stërzgjatura. “Bashkimi Evropian  nuk duhet të tolerojë vrima të zeza në kontinentin evropian. Parimi i lirisë dhe barazisë është vlerë mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë e as më pak se liri të lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe ideve dhe barazi në trajtim”, tha ai.
Pavarësisht sfidave, unë kërkoj nga ju që me prioritet ta trajtoni këtë agjendë. Ne duhet të prodhojmë vazhdimisht argumente për partnerët tanë, tha në fund kryeministri Hashim Thaçi.