PARA BALOTAZHIT FLITET PËR KOALIZIONE
Ferizaj, 13 maj – Kanë kaluar dy javë nga raundi i parë i zgjedhjeve për kryetar të Ferizajt, ndërsa që nuk është parë asnjë aktivitet publik i partive, kandidatët e të cilave do të garojnë në balotazh. Kjo heshtje para balotazhit është përcjellë edhe me shmangie publike të përdorimit të fjalës koalicion, ndonëse sipas burimeve nga partitë, kjo heshtje nuk reflekton gjendjen reale, shkruan sot Koha Ditore.
Pas dy javësh, qytetarët ferizajas do të jenë para dilemës të dalin apo të mos dalin në zgjedhje dhe pastaj kë ta votojnë në balotazhin ndërmjet kandidatit të PDK-së dhe të atij të LDK-së. Kandidati Agim Aliu i PDK-së në raundin e parë ka mbledhur 11527 vota ose 41%, kurse ai i LDK-së, Adem Salihaj, ka marrë 6813 vota, ose 24%. Numri i votuesve në raundin e parë mezi arriti në 30 për qind.
”Ne kemi një koalicion në qendër me AKR-në dhe besojmë se ai do të na mjaftojë, nuk do të thotë që nuk do të bisedojmë me të tjerët, por tash për tash nuk ka ndonjë lëvizje të tillë”, ka pohuar zëdhënësi i shtabit zgjedhor të PDK-së, Hajdin Abazi.
Nëse llogariten që kandidati i AKR-së, Ramadan Hasani, pati fituar 1364 vota, del se PDK-ja mund të llogaritë afërsisht në 13 mijë vota në balotazh. Kjo gjë mund të krijojë rehati në taborin e tyre, por me kusht që LDK-ja të mos arrijë koalicion me LVV-në për 4515 votat e kandidatit të saj Faton Topalli, si dhe të 3059 të AAK-së që i fitoi Naim Ferati, që teorikisht do të përbënin shumën prej 14 mijë votash. Kjo matematikë do të krijonte një garë shumë të ngushtë të balotazhit, por deri te realizimi i saj si duket është shumë rrugë e vështirë politike.
Këtë rrugë e vështirësojnë qëndrimet shpesh të kundërta të subjekteve opozitare si LDK-së, AAK-së dhe të LVV-së.