BOSNJA SHQYRTON MUNDËSITË PËR NJOHJEN E KOSOVËS
Disa vlerësojnë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Bosnja e Hercegovina do t’i sillte stabilitet politik dhe ekonomik rajonit, por serbët e Bosnjës edhe më tej i kundërvihen kësaj.
“Është koha që Bosnja e Hercegovina (BeH) të njoh Kosovën si shtet të pavarur, të lë prapa të kaluarën dhe të ndërmarrë hapin e guximshëm përpara”, kishte thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kohë më parë për gazetën e Sarajevës “Dnevni Avaz”, duke potencuar sërish këtë çështje problematike.
Ndonëse Thaçi vlerëson se njohja e Kosovës do të përforconte stabilitetin e rajonit, politikanët në Republikën Serbe (Republika Srpska), duke përfshirë kryetarin e entitetit serb, Milorad Dodik, nuk e ndajnë këtë mendim.
“Kosova është një burim i jo stabilitetit afatgjatë në rajon dhe si të tillë nuk do t’i njihet pavarësia nga Republika Serbe. Njohjen e Kosovës e kanë përkrahur fuqitë e mëdha që duan për të ndëshkojnë Serbinë dhe popullin serb dhe ta thyejnë, prandaj si e tillë Kosova nuk mund të njihet ligjërisht nga Republika Serbe “, tha Dodik, transmeton SETimes.
Në BeH mosmarrëveshjeve lokale lidhur me statusin e Kosovës vazhdojnë me vite dhe asnjëherë nuk është arritur një konsensus për këtë çështje. Vendimi është në duart e Kryesisë së BeH, por as në kryesinë e kaluar, por as në këtë të tanishmen nuk ekziston pajtimi i anëtarit serb.
“Vendimi i njëanshëm mund të vë në pikëpyetje paqen në rajon”, tha Nebojsha Radmanovic, anëtari i tanishëm i presidencës trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës.
Por, jo të gjithë pajtohen se një “jo” kategorike e Republikës Serbe bën jehonë në Serbi. “Këtë temë të nxehtë politikanët tanë e shmangun me kujdes. Megjithatë, nëse vërtetë janë të gatshëm për të mbështetur Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, atëherë seriozisht duhet të shqyrtojnë çështjen e pavarësisë së Kosovës, sidomos pas zgjedhjeve “, tha për SETimes Nikola Gajic, një aktivist politik nga Novi Sadi. Raundi i dytë i zgjedhjeve është planifikuar të mbahet më 20 maj
Ministri serb i Punës dhe Politikave Sociale, Rasim Ljajiç është i vetëdijshëm se BE-ja nuk do të mbështesë Serbinë me çështjen e pazgjidhur të Kosovës. “Nuk do të ishte e mençur të konfrontohemi me Evropën”, i ka thënë Ljajic, gazetës “Vecernje Novosti”.
Dhe në qoftë se Beogradi pranon në heshtje, solidariteti politik midis RS dhe Serbisë duhet të drejtojë po ashtu reagimin e Banja-Lukës.
“Kur Kosova të njihet nga të tjerët, me fjalë të tjera nga Serbia, që është e detyruar të ndodhë, kështu duhet të ndodhë dhe nga BiH,” ka thënë për SETimes Ivan Sijakovic, profesor i sociologjisë në Universitetin e Banja-Lukës.
Njohja e Kosovës është edhe çështje ekonomike. Qeveria e Bosnjës, gjatë korrikut të vitit të kaluar ka aplikuar taksa doganore për mallrat e importuara nga Serbia, sepse dy vendet nuk njohin vulën doganore të Kosovës. Kjo ka pasur si pasojë implikime të mëdha./Telegrafi/