Kalo te lënda

Basha: Do të ofrojmë model të ri qytetërimi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka inspektuar punimet të cilat janë drejt fundit në një prej rrugëve më të amortizuara në Tiranë, “Sadik Petrela”.

Në këtë rrugë është bërë riveshja dhe riasfaltimi total i saj. Rikonstruksioni i kësaj rruge u premtua rreth një muaj më parë nga kryetari i Bashkisë, ndërsa inspektonte punimet për Ujësjellësin e ri i cili furnizon me ujë 35 mijë banorët e Kodrës së Priftit, të cilët prej vitesh vuanin mungesën e tij. Sot këta banorë, krahas furnizimit me ujë, kanë dhe rrugën tërësisht të rikonstruktuar.

“Ky është modeli i ri i punës dhe standardi që Bashkia e Tiranës do të imponojë anë e mbanë qytetit, duke filluar me zonat e harruara dhe ato në nevojë, duke pasur si parim jo vetëm qendrën e qytetit, por kudo ku qyteti shtrihet, duke filluar nga pragu i qytetarëve, për t’ju ofruar qytetarëve të Tiranës një cilësi më të mirë jete dhe për ta bërë Tiranën një qytet ku jetohet më mire”, tha Basha, transmeton BalkanWeb.

Kryebashkiaku bëri të ditur nisjen e punës për riparimin e 88 rrugëve të kryeqytetit të cilat i shtohen 100 rrugëve të riparuar gjatë muajve mars-prill. Basha theksoi se afro një e treta e këtyre rrugëve që po i nënshtrohen riparimit kanë ardhur si rezultat i shqetësimit të qytetarëve që e kanë raportuar këtë drejtpërdrejt nëpërmjet shërbimit të Zërit të Qytetarit në Bashkinë e Tiranës.

Basha bëri gjithashtu të ditur se këtë muaj nis procesi i investimit në 30 rrugë të cilat nuk do të riparohen por do të ndërtohen nga fillimi. /Telegrafi/