Kalo te lënda

Me këpucë drejtë Breivikut: Shko në ferr!

Vëllai i njërit prej viktimave të ishullit Utoya ka hedhur sot këpucën në drejtim të Anders Breivikut, duke bërtitur: “Ti je vrasës, shko në ferr”. Gjykimi është ndërprerë pas këtij incidenti, për të vazhduar më 17 maj.
Këpuca nuk ka prekur Breivikun, por njërin nga avokatët e tij, Vibeke Hein Baera, i cili ishte mes vrasësit dhe publikut.

Anëtarët e policisë kanë reaguar duke larguar vëllanë e njërit prej 69 viktimave që Breivik kishte vrarë më 22 korrik të vitit të kaluar. Burri, me theks të huaj, vazhdonte të bërtiste në anglishte: “Shko në ferr”.

Breivik ka pranuar se ka vrarë tetë persona me shpërthimin e bombës pranë ndërtesave qeveritare në kryeqytetin norvegjez, dhe 69 të tjerë – kryesisht të rinj – në kampin e Partisë Laburiste në ishullin Utoya.

Ai ka thënë se “nuk është fajtor për vrasjet”, duke deklaruar se ato kanë qenë “vetëmbrojtje kundër politikave multikulturaliste të qeverisë”.

Ky është incidenti i parë që nga 16 prilli, atëherë kur ka filluar gjykimi i këtij ekstremisti me pikëpamje djathtiste.