Suedi, stjuardesa e “Ryanair” bie nga… avioni
Fatmirësisht, punonjësia e linjës Goteborg-Londër e ka kaluar gjithçka vetëm me një plagosje
Një stjuardesë e kompanisë “Ryanair” ka pësuar plagë në kokë, pas rënies nga… avioni. Gruaja u rrëzua nga mjeti fluturues, teksa po mundohej të mbyllte derën para ngritjes. Shkaku i këtij incidenti të ndodhur në Goteborg të Suedisë, duket se ka qenë nguti, ose pakujdesia me të cilën po kryheshin operacionet në bord.
Hetuesit që po kërkojnë të sqarojnë episodin, janë duke ekzaminuar edhe mundësinë që porta të jetë hapur, për shkak të erës së fortë. Stjuardesa, e cila është dërguar e gjakosur në spital, u përpoq të kapej më kot diku në pjesën e jashtme të avionit, për të mos rënë në tokë.
Annika Nyberg, drejtuese e aeroportit ku ndodhi incidenti, ka pohuar: “Në vite të tëra karrierë s’kam parë diçka të tilllë. Shkallët ishin hequr dhe dera u duk e mbyllur, por me shumë mundësi dera duhet të jetë hapur nga era e fortë, kur ajo po rregullonte dorezën”. Si pasojë e këtij incidenti, avioni i drejtuar për në Londër u ngrit me 4 orë vonesë./ikub/