Opozita kritikon Qeverinë, Buzhala ish-kolegët
Prishtinë, 10 maj – Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës nisi me kritika për Qeverinë dhe kryeministrin Hashim Thaçi për qasjen ndaj zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.
Deputetët opozitarë i quajtën deklaratat e zyrtarëve qeveritarë sa u përket këtyre zgjedhjeve, retorikë boshe për t’u hedhur hi syve qytetarëve.
Deputetët opozitarë e kanë nisur seancën plenare me kritika për qasjen e qeverisë ndaj zgjedhjeve serbe në Kosovë. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi i quajti të papranueshme dhe antikushtetuese sjelljen triumfaliste të Qeverisë së Kosovës karshi zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Ai i quajti pa sens dhe të dëmshme deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi se me mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë u respektua kushtetuta e republikës, raporton RTK.
”Deklarimet në mbledhjen e Qeverisë dhe pas mbledhjes së qeverisë kanë qenë antikushtetuese dhe vetë mbajtja e zgjedhjeve ka qenë antikushtetuese, mirëpo Qeveria e Kosovës me deklarime të tilla po dëmton interesin e Kosovës”, tha Gashi.
Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu e përfshiu edhe presidenten Atifete Jahjaga në kritikat për qasjen e institucioneve të Kosovës karshi zgjedhjeve serbe.
“Kryeministri dhe presidentja, jo vetëm që nuk e mbajtën fjalën, por ata bënë lojë retorike për të gënjyer qytetarët për një çështje kaq të rëndësishme si kjo. Pra, në vend se të gënjehet Serbia e të jenë të sinqertë me qytetarët e Kosovës, ata bëjnë saktësisht të kundërtën”, tha Aliu.
Në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ish-gazetari Berat Buzhala, përmendi kthimin për rishqyrtim të Kodit Penal të Kosovës për shkak të kundërshtimit të neneve 37 dhe 38 nga ana e gazetarëve. Ai mbështeti vendimin për kthimin prapa të këtyre dy neneve, por ndërkohë nuk hezitoi të flasë ashpër për ish kolegët.
“Edhe gazetarët duhet të sakrifikojnë pak e jo të sillen si lopë të shenjta. Ne kemi hequr dorë nga imuniteti si deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne e kemi vënë veten para drejtësisë. Pse gazetarët të kërkojnë që të mbrohen jo prej vetëtimës, por prej murmurimës. Ata tuten edhe prej murmurimës, e thonë mbronani se kur murmuron neve do të na vrajë”, tha Buzhala.
Buzhala ka kërkuar nga portalet Koha.net, indeksonline… që t’i kontrollojnë më mirë komentet e lexuesve, të cilat, sipas tij, nuk duhen publikuar dhe duhet cenzuruar shprehja e mendimit të lirë të tyre.
Ndërkohë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri u paraqit në interpelancë lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, në Bruksel.