Behgjet Pacolli
Prishtinë, 10 maj – Biznesmeni miliarder, Behgjet Pacolli, është shndërruar në lypës. Ky zëvendëskryeministër ka kërkuar në Qeveri paratë që i ka shpenzuar deri tash jashtë vendit në procesin e lobimit, ndonëse publikisht prej kohësh ka deklaruar se lobimin vullnetshëm po e bënte me para të tij dhe jo të buxhetit të Kosovës.
E Qeveria s’ia ka dhënë. Shuma e faturave të cilat Zyra e kryeministrit nuk ia ka kompensuar Pacollit është rreth 137 mijë euro. Kjo për shkak se kërkesat e tij nuk ishin bërë konform rregullave, si dhe për shkakun që kërkohej të mbuloheshin shpenzime edhe për njerëz që nuk dinin në Qeveri se çfarë bënin dhe as kush ishin ata, përpos që Pacolli i prezantonte si këshilltarë të jashtëm dhe bashkëpunëtorë.
Këto janë shpenzime të tjera nga ato që i janë kompensuar deri tash. Janë rreth 140 mijë euro të tjera që Zyra e kryeministrit ia ka kompensuar atij dhe stafit të tij për udhëtime jashtë shtetit, nën arsyetimin se kanë qenë në mision për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Pacolli ka bërë kërkesa referuar periudhave që nuk ka qenë në vendet e deklaruara. Shembull, me një deklarohen shpenzimet e bëra prej 12 majit të vjetëm deri më 11 nëntor të po këtij viti, gjatë qëndrimit në Nigeri, Etiopi, Austri, Turqi dhe Gjermani. Ose, për periudhën prej 16 majit deri më 22 qershor të vjetëm në Acca të Ganës. Dy kërkesat kanë kontradiktë, ngaqë ai nuk ka mundur të ishte njëkohësisht në Ganë dhe në pesë vendet e deklaruara në kërkesën tjetër.
Ka dhjetëra kërkesa të tjera në të cilat “Koha Ditore” ka pasur qasje, e me të cilat është kërkuar aprovimi i shpenzimeve të udhëtimeve zyrtare vetëm të zëvendëskryeministrit Pacolli. Të tjera ka që kërkojnë kompensim për shpenzime të këshilltarëve të tij të jashtëm dhe të bashkëpunëtorëve. Kabineti i zëvendëskryeministrit Pacollit prej dy ditësh nuk iu ka përgjigjur pyetjeve të “Kohës Ditore” për të tilla kërkesa të shpenzimeve që ishin adresuar për aprovim tek pas realizimit të vizitave jashtë shtetit.
Një burim i lartë në ZKM ka treguar në kushte anonimiteti se sekretari i ZKM-së, Fitim Krasniqi, kishte refuzuar aprovimin e kompensimit të mjeteve të kërkuara nga Ëacolli, pasi kërkesat ishin bërë në kundërshtim me rregullat. Edhe shpenzimet që kërkohej të kompensoheshin, sipas këtij burimi, nuk bëheshin për persona të kontraktuar nga Qeveria (gjerësisht në “Kohën Ditore”.