Al-Qaeda konsideroi ndryshimin e emrit për të tërhequr myslimanët
Të shqetësuar për imazhin e tij dhe humbjen e kontrollit mbi rrjetin terrorist al-Qaeda, Osama bin Laden, pak përpara se të vritej, mendonte për riemërimin e grupit me një emër më të tingëllueshëm islamik.
Sipas një letre të konfiskuar një vit më parë në kompleksin e bin Ladenit në Abotabad, aty ku u vra nga trupat amerikane, propozimi i ‘ndryshimit të emrit’ u shfaq ndërsa Shtetet e Bashkuara theksonin se lufta e saj ishte ndaj al-Qaedas dhe terroristëve, dhe jo kundër pasuesve të Islamit.
“Emri i tanishëm i grupit i lejon Shtetet e Bashkuara dhe armiqtë e tjerë të al-Qaedas të pretendojnë se gjoja nuk janë në luftë me Islamin e myslimanët”, thuhet në këtë letër, raporton SETimes.com.
Qendra e Luftës kundër Terrorizmit, që e botoi letrën mes 17 dokumenteve të tjera, njoftoi se autori i letrës për ndryshimin e emrit nuk ishte i qartë. Por disa analistë, si Rohan Gunaratna, autor i librit ‘Brenda al-Qaedas’ shkruan: Rrjeti botëror i terrorit, nuk ka dyshim se bin Ladeni ishte në dijeni se emri i al-Qaedas po bëhej jo i admiruar dhe ai dëshironte një emër islamik që bën jehonë në botën myslimane.
“Nëse nuk do të ishte vrarë, mund ta kishte ndryshuar emrin e al-Qaedas në një emër fetar”, tha Gunaratna për SETimes, njëherësh drejtues i Qendrës Ndërkombëtare për Dhunën Politike dhe Studimin e Terrorizmit, me qendër në Singapor. “Një vit përpara vdekjes së tij, e kuptoi se bota ka shkuar përpara, por al-Qaeda kishte mbetur ende në vend”.
Shumica e myslimanëve kanë një pikëpamje negative për grupin terrorist, sipas një sondazhi të Projektit të Qëndrimeve Botërore të Qendrës Kërkimore Pew, të nxjerrë më 30 prill. Sondazhi zbuloi se 98% e myslimanëve në Liban, 77% në Jordani, 73% e myslimanëve në Turqi e 71% në Egjipt kanë një opinion negativ për al-Qaedan.
Gunaratna theksoi se al-Qaeda dështoi të përmblidhte imazhin e myslimanëve. “Bin Ladeni, Ajman Al Zavahiri e udhëheqës të tjerë në al-Qaeda e kuptuan se kishin dështuar”, tha ai. /Telegrafi/