Kalo te lënda

Bie numri i pensionistëve, vdesin pa i realizuar të drejtat

Prishtinë, 7 maj – Pensionistët kosovarë janë zvogëluar në numër. Viti 2011 e ka gjetur Kosovën me rreth dy mijë pensionistë më pak krahasuar me një vit më herët. Por, gjatë kësaj kohe është rritur numri i pensionistëve që përfitojnë nga pensionet si invalidë të luftës dhe familje të dëshmorëve, shrkaun “Koha Ditore”.

“Krahasuar me vitet 2010/2011 del se në vitin 2011 numri i pensioneve bazë është zvogëluar për 2713 persona, apo shprehur në përqindje për 2.5 për qind”, thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Sipas këtij raporti, në muajin e fundit të vitit 2011 në Kosovë janë ndarë 107 mijë e 145 pensione bazë. Më së shumti pensionistë ka pasur rajoni i Prishtinës, me 22 mijë e 583 pensionistë. Rajoni i Mitrovicës është i dyti për nga ndarja e pensioneve bazë, ndërsa më së paku rajoni i Ferizajt. Sipas të dhënave të Agjencisë, janë femrat ato që përfitojnë më shumë nga pensionet bazë. Sipas të dhënave zyrtare, numri i femrave që marrin pensionin bazë është dyfish më i madh se i meshkujve. Rreth 20 për qind e përfituesve të këtij pensioni janë persona të nacionalitetit serb. Brenda muajit për afro 107 mijë përfitues ndahen rreth 5.3 milionë euro, apo rreth 60 milionë brenda vitit. Pension bazë u jepet të gjithë qytetarëve me banim të përhershëm në Kosovë, që e kanë arritur moshën e pensionimit. Shuma mujore që i paguhet kësaj kategorie është 45 euro.

Në vitin e kaluar të dhënat tregojnë se numri i pensioneve kontributpaguese është rritur dukshëm.

“Krahasuar me vitet 2010 / 2011 del se në vitin 2011 numri i pensioneve kontributpaguese është rritur për 1.774, apo shprehur në përqindje 5.5 për qind”, thuhet në raportin e Agjencisë. Sipas të dhënave statistikore, në fund të vitit 2011 kanë dalë  rreth 32 mijë e 415 pensione kontributpaguese.

Vetëm 837 serbë marrin pensione nga kontributet e tyre. Shuma mujore që i paguhet kësaj kategorie është 80 euro.

Në muajin e fundit janë regjistruar 18 mijë e 594 persona me aftësi të kufizuara që marrin pensione. Rreth 900 mijë euro janë ndarë brenda muajit për këtë kategori.

Pensionet që u jepen invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve janë shtuar vitin e kaluar. “Në vitin 2011 janë paguar 13.109 pensione në skemën e DFDIL-it, ndërsa në vitin 2010 kanë qenë 12.994. Krahasuar  me vitet 2010 / 2011 del se numri i pensioneve në skemën DFDIL është rritur për 115, apo shprehur në përqindje 0.9 për qind”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave.

Si pasojë e luftës së fundit, 45 serbë marrin pensione si invalidë të luftës apo familje e dëshmorëve. Mesatarja e pagesës së invalidëve të luftës është 194.2 euro.

Nga 133 milionë euro që janë ndarë gjatë vitit të kaluar, 61 milionë e 183 mijë janë pagesat e pensioneve bazë, 31 milionë e 670 mijë janë pagesat e pensioneve kontributpaguese,  11 milionë e 151 mijë janë pagesat e pensioneve të personave me aftësi të kufizuara dhe 29 milionë e 249 mijë janë ndarë për invalidë të luftës dhe familje të dëshmorëve /koha/

Lini një koment