Sarkozy pranoi humbjen, Hollande president i Francës
E plotësuar – Me një fjalim prekës para mbështetësve të tij, Nicolas Sarkozy deklaroi se Franca do të ketë nga sot një president të ri, François Hollande. Në të parin fjalim të tij pas mbylljes së raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, Sarkozy mori mbi vete përgjegjësinë e humbjes në këto zgjedhje,që sjellin në krye të pallatit Elisee, pas 17 vitesh, një lider socialist.
“Franca ka sot një President të ri të Republikës. Franca bëri zgjedhjen e saj republikane, Franca ka sot president të ri, François Hollande”, deklaroi presidenti ende në detyrë, Sarkozy, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ai u kërkoi mbështetësve të tij të jenë të bashkuar, duke u bërë me dije se nuk do të jetë në krye të partisë në zgjedhjet parlamentare.
“Sapo fola në telefon Hollande dhe i urova fat në sprovat e mëdha. I uroj me gjithë zemër që Franca të kalojë të gjitha provat e vështira, pasi ka diçka më të madhe se ne, që është atdheu ynë. Ne duhet të mendojmë sot për madhështinë e Francës dhe lumturinë e francezëve”, theksoi presidenti në detyrë.
Ai faënderoi francezët, që e zgjodhën president 5 vite më parë, duke nënvizuar se asnjëherë nuk do ta harrojë këtë nder të madh.
“Jam unë që duhet t’ju falënderoj, sepse në jetën time ky është një nder i madh. I kam kushtuar Francës tërë këto vite, jam përpjekur të bëj më të mirën. E kam drejtuar këtë vend me një dashuri të madhe për Francën dhe një dashuri të madhe për francezët. Po iki nga ky post me një admirim të madh. Falënderoj miliona francezët që më votuan, u angazhova 100 për qind, por nuk arrita të bind shumicën e francezëve. Ju më keni mbështetur, së bashku kemi bërë një fushatë të paharrueshme, kundër të gjithë koalicioneve që ishin kundër nesh, por nuk arrita të vë në jetë ato vlera për të cilat punoj”, tha Sarkozy.
Ai tha se mban mbi vete gjithë përgjegjësinë e kësaj humbjeje, pasi siç deklaroi ka luftuar për vlerat e përgjegjësisë, duke nënvizuar se nuk është nga ata që nuk i mban mbi vete këto vlera.
“Isha shefi i shtetit dhe kur ka një humbje është numri një ai që e mban përgjegjësinë për të. Asgjë nga ato që kam thënë në këtë fushatë nuk ishin false. Ju them diçka nga fundi i zemrës sime, se kur mbrojmë disa vlera, e vetmja mënyrë për t’i realizuar është që t’i jetojmë ato vlera. Unë dua të jetoj në harmoni me ato që unë mendoj. Dua t’u them deri në fund, një epokë e re po hapet. Ideali juaj është ideali i jetës sime. Të keni besim tek unë se do të vazhdoj t’i ndjek këto vlera. Pas pesë vjet në krye të shtetit francez angazhimi im në jetën e vendit tim do të jetë ndryshe, por sprovat, bindjet dhe gëzimet asnjëherë nuk do të mbeten pas”, tha Nicolas Sarkozy.
Sarkozy e mbylli fjalimin e tij me fjalë prekëse, duke thënë se “asnjëherë bashkëqytetarët e mi nuk do të mundem t’u jap atë që më dhatë ju në këtë fushatë. Kur bëhet fjalë për Francën gjithçka është e rëndësishme, për një Francë të hapur, që nuk e sheh tjetrin si një armik, një Francë që diti të fitojë me mua në vitin 2007 do të dijë të fitojë edhe në vitin 2012”, tha Sarkozy.
“Të jemi patriotë, të jemi e kundërta e asaj që thonë. Ju jeni Franca e përjetshme, Ju dua, Faleminderit”, e përfundoi fjalimin e tij Nicolas Sarkozy, që sipas exit polleve humbi zgjedhjet presidenciale në Francë kundrejt socialistit François Hollande. /Telegrafi/
Exit – poll: Hollande, Presidenti i ri i Francës
Socialisti François Hollande do të jetë president i Republikës së Francës. Sipas sondazhit të publikuar nga agjencia e lajmeve AFP, Hollande ka fituar ndaj presidentit në detyrë Nicolas Sarkozy me 52-53.3 për qind të votave.
“Është një gëzim i pamatur”, ishin fjalët e para që tha Benoit Hamon, zëdhënësi i Partisë Socialiste, pas lajmit mbi fitoren e François Hollande pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura këtë të diele në Francë, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Sipas exit polleve të para të realizuara nga disa institute sondazhesh, François Hollande rezultoi fitues i presidencialeve franceze me plot 52-53 për qind.
Lajmin e bëri publik edhe siti i përditshëm belg “Le Soir”.
Sipas Ipsos e Bva, Hollande ka marrë 52,5 për qind të votave, ndërsa Sarkozy 47,5 për qind .
Ndërkohë, sipas sondazhit të Tns Sofres, Hollande ka fituar 53,5 për qind të votave, ndërsa Sarkozy 46,5 për qind .
Sipas Ifop, Csa e Harris, Hollande ka marrë 53 për qind e Sarkozy 47 për qind të votave.
Të dhënat e sondazheve u morën pas daljes së votuesve nga qendrat e votimit, në orët 8-11 të paradites së të dielës.
ANSA, bën me dije se sipas burimeve diplomatike, Nicolas Sarkozy ka anulluar festën e lajmëruar për sonte në “Place de la Concorde”.
Sipas exit polleve që vijojnë të publikohen nga personalitetet politike dhe gazetarët francezë në Twitter, socialisti François Hollande është në avantazh ndaj Nicolas Sarkozy, që varion nga 53 për qind -47 për qind në 52,5 për qind -47,5 për qind .
Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze u thirrën për të zgjedhur presidentin e ri, 46 milionë francezë. /Telegrafi/