Kalo te lënda

S’ka heqje vizash, Kosova do të mjaftohet me MSA-në

s-rsquo-ka-heqje-vizash-kosova-do-t-euml-mjaftohet-me-msa-n-euml_hdAnalistët vlerësojnë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit do të jetë suksesi më i madh i Kosovës në agjendën evropiane, pasi liberalizmi i vizave nuk do të ndodhë në vitin 2015.

Përfundimi i bisedimeve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mund të llogaritet si suksesi më i madh i vitit 2014 për Kosovën në rrugën e saj drejt agjendës evropiane.

Kosova me sa duket, duhet t’i mjaftojë nënshkrimi i kësaj marrëveshje, duke e llogaritur këtë si suksesin më ta madh të saj në vitin 2015 në rrugën e integrimit.

Zyrtarë qeveritar kanë thënë se Kosova planifikon që, në pesëmujorin e parë të vitit 2015, ta nënshkruajë MSA-në, ndërkaq kanë bërë të ditur se do të aplikojnë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ndërsa, sipas tyre, liberalizmi i vizave do të hiqet në fund të këtij viti.

Por premtimi për liberalizim të vizave, nuk duket fare i mundshëm për këtë vit, sipas njohësve të integrimeve. Përkundrazi, ky vendim nuk presin të ndodhë as gjatë vitit të ardhshëm.

Njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani ka thënë për lajmi.net se nga këto tre prioritete, vetëm nënshkrimi i MSA- së do të ketë mundësi të realizohet brenda këtij viti.

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit besoj që do të mund të ratifikohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian gjatë këtij viti, pasi që nuk besoj se do të ketë ndonjë pengesë as procedurale, përveç nëse pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën të paraqesin pengesë, për arsye politike, gjë që nuk besoj se do të ndodhë. Prandaj ky kapitull mund të përmbyllet më qëllim që e njëjta të fillojë të zbatohet në vitin 2016”, ka thënë Ujkani.

Ai duke folur për mundësitë që liberalizmi i vizave të ndodh në fund të vitit 2015, ashtu siç ka deklaruar kryeministri Isa Musta, ka thënë se nuk beson se do të ndodh një gjë e tillë, pasi sipas tij, është vështirë të ndodhë edhe në vitin 2016.

Ujkani ka thënë ikja e qytetarëve e ka sfiduar gjithmonë këtë proces dhe se vala e fundit e ikjes ka ndikuar negativisht në këtë proces.

“Sa i përket liberalizmit të vizave, nuk e besoj që do të mund të ndodhë gjatë këtij vitit, duke u nisur nga fakti se kemi të bëjmë me një proces që është shumë teknik, por që nga njëherë po merr edhe karakteristika politike”.

“Ikja e qytetarëve ka qenë një ndër sfidat kryesore të këtij procesi dhe tash ky trendi i ikjeve të fundit, nuk besoj që ndonjë shtet me vullnet të mirë do ta përkrahte për ti dhënë statusin e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe nuk besoj që do të mund të ndodh as në vitin 2016”, ka thënë Ujkani, për lajmi.net.

Ai ka thënë se liberalizmi i vizave është proces i ndërlidhur dhe nuk varet vetëm me ndaljen e ikjes së qytetarëve.

Sipas tij, pa zhvillim ekonomik të vendit dhe stabilitet politik, është shumë e vështirë që të synohet liberalizmi i vizave.

Ndërkaq, duke komentuar paralajmërimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçit, se brenda tre muajve të parë të këtij viti, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE), ka thënë se nuk mund ta paragjykojë këtë proces, në kohën kur ende nuk është marr vendim për aplikim as nga qeveria e Kosovës.

Njohësi i proceseve të integrimeve evropiane ka thënë se anëtarësimi në KiE, Kosovën do ta afronte me agjendën e BE-së.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një kriter që do ta afronte Kosovën edhe më tutje në agjendën e BE-së, pasi të gjitha vendet e Bashkimit Evropian në të njëjtën kohë janë edhe anëtare të Këshillit të Evropës”, ka thënë Emrush Ujkani. /lajmi.net/

Lini një koment