Svarça rehaton militantët e LDK-së
Rrjeti i organizatave joqeveritare (AVONET) në Ferizaj vlerëson se kryetari i Komunës së Ferizajt Muharem Svarça, po bëhet vetëm i LDK-së, duke e dëshmuar edhe një herë që ai veten nuk e sheh si kryetar të të gjithë ferizajasve por vetëm të militantëve të LDK-së.
Kenan Gashi, koordinator i AVONET, thotë se Svarça, duke keqpërdor pozitën e tij, ka kapur çdo sektor të pushtetit në Ferizaj. Sipas tij, kryetari Svarça në Ferizaj po përsërit qeverisjen famëkeqe të Adem Salihajt, duke kopjuar metodat e tij dhe duke rehatuar në pozita publike.
“Veprimet e fundit të LDK-izimit të pushtetit vjen nga vendimi skandaloz i kryetarit Svarça për të instaluar, Arta Tahirin, në pozitën e drejtoreshës së çerdhes së fëmijëve në Lagjen e Re, megjithëse ajo nuk përmbush asnjë kriter për të qenë në këtë detyrë. Ky veprim është konflikt interesi, duke qenë se Tahiri është anëtarë e Kuvendit Komunal të Ferizajt si dhe përbën shkelje të procedurave ligjore dhe të rregullave komunale”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se detyrën e të parit të Komunës, Svarça nuk po e përdor për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Ferizajt të cilët ballafaqohen me sfida serioze socio-ekonomike, për të cilën detyrë është zgjedhur, por kompetencat e kryetarit të komunës, ai po i keqpërdor për të rehatuar militantët politik të partisë së tij.
AVONET i bën apel kryetarit Svarça të ndaloj veprimet destruktive dhe të filloj të veproj si kryetar i Komunës i të gjithë qytetarëve ferizajas.