Demaçi: Mirë e ka diplomatja amerikane
Veprimtari i njohur, Adem Demaçi, duke komentuar deklaratat e ambasadores së Shteteve të Bashkuara (SHBA), Tracy Ann Jacobson, në debatin e organizuar nga “Lëvizja FOL”, thotë se fjala banale nga ana e ambasadores amerikane, ka qenë me vend.
Demaçi për “Zëri” ka thënë se jo vetëm ambasadorja por të gjithë qytetarët e Kosovës janë të dëshpëruar me liderët e Kosovës. Sipas tij, politikanët kosovarë në rend të parë e kanë interesin e tyre personal jo atë të popullit.
“Jemi të dëshpëruar dhe po dëshpërohemi të gjithë nga këta lider që i kemi sot. Nga ata lider kemi edhe heronj të luftës që kanë bërë punë të madhe për lirinë dhe pavarësinë por si duket e kanë harruar atdheun dhe në rend të parë e kanë qitë interesin e tyre personal por ata janë zgjedhur për t’i shërbyer popullit jo vetëm të shtyhen për do poste”, ka thënë Demaçi.
Ai ka thënë se politika nuk është lojë shahu që politikanët të marrin piunin dhe të qesin mbrapa ose ku të donë. Ai ka kërkuar nga politikanët që të punojnë për popullin dhe jo për një post.
Demaçi ka thënë se të gjithë politikanët i njeh për së afërmi dhe ka pas kontakte por sipas tij ambasadorja e paska përdorur një fjalë banale që sipas tij edhe ajo fjalë banale e kërkon momentin. /zeri/